Edukimi mjedisor në mbledhjen, diferencimin dhe riciklimin e mbetjeve

Në 24 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Parqeve është përmbyllur me sukses panairi “Mendo Gjelbër, Vepro Gjelbër”, aktivitet i organizuar në kuadër të projektit “Edukimi mjedisor në mbledhjen, diferencimin dhe riciklimin e mbetjeve”. Ky projekt është zbatuar nga Acli Ipsia në Shqipëri dhe Qendra Rinore Arka, në kuadër të projektit Eco Nord, mbështetur nga ALCDF dhe financuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë harkut kohor prej një viti, në projekt u përfshinë 10 shkolla të ciklit 9 –vjeçar nga bashkitë Shkodër, Vau-Dejës dhe Malësi e Madhe. Rreth 200 nxënës u bënë pjesë e aktiviteteve sensibilizuese mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe e laboratorëve krijuese, gjatë së cilave patën mundësi të shprehin aftësitë e tyre krijuese në realizimin e punimeve me materiale të riciklueshme.

Puna një vjeçare me shkollat u finalizua sot me Panairin “Mendo Gjelbër, Vepro Gjelbër”, i cili u realizua përgjatë Pedonales “Kolë Idromeno”. Shkollat pjesëmarrëse ekspozuan punimet e realizuara nga nxënësit gjatë laboratorëve krijuese, ku në fokus ishte riciklimi dhe ripërdorimi. Të gjitha shkollat pjesëmarrëse u paraqitën me një nivel të lartë krijimtarie dhe angazhimi.

Një juri e posaçme vlerësoi me çmime punimet më të mira, në të cilat reflektohej më së miri koncepti i riciklimit dhe i ripërdorimit. Në këtë kuadër, dy çmime mirënjohjeje shkuan për Shkollën “Mati Logoreci” dhe për Shkollën 9-vjeçare Vau-Dejës, ndërsa çmimi i parë shkoi për Shkollën “Ndre Mjeda”. Nxënësit fitues të vendit të parë u bënë fitues të një ekskursioni 3 ditor në natyrë, me një eksperiencë scout.

1 Comment

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *