Cirku i Ëndrrave

Data 8 Prill shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve si një kremtim i historisë Rome, traditave, kulturës dhe gjithashtu është një thirrje për përfshirje sociale për këtë komunitet. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën.

Në kuadër të kësaj dite Bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me partnerët e shoqërisë civile PNUD, ARSIS, Qendra Rinore “Arka” dhe Drejtorinë e Shkollës “Edith Durham” organizoi një aktivitet sensibilizues dhe informues me qëllim përfshirjen dhe integrimin e këtij komuniteti.

Mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse Znj. Voltana Ademi, Kryetare e Bashkisë Shkodër, Znj. Limya Eltayeb, përfaqësuese e PNUD, Z. Besmir Sula përfaqësues i Qendrës Rinore Arka, Z. Ilir Muhaxhiri, përfaqësues i komunitetit rom, Z. Zini Kore, përfaqësues për Shqipërinë i ARSIS dhe Z. Nektar Duma, përfaqësues i Bashkisë Shkodër, i cili prezantoi projektin për ndërtimin e qendrës komunitare për komunitetin rom dhe egjiptian.

Pjesa e dytë e aktivitetit ishte performanca socio-kulturore nga Trupa Akrobatike Rom dhe nxënësit e shkollës “Edith Durham”.
Një shfaqje 30 minuta cirku, teatri social dhe akrobacie që bëri bashkë 8 fëmijë nga komuniteti Rom dhe 12 nxënës të shkollës “Edith Durham” nga klasa e 7-të deri në klasën e 9-të. Kjo për të dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm për komunitetin për datën 8 prill, që është Dita Ndërkombëtare e Romëve.

E gjithë përformanca është konceptuar si ëndërra e një djali Rom, i cili mbas shumë pengesash dhe vështirësive arrin me ndihmën e të tjerëve, që një ditë të bëjë ëndrrën e tij realitet: të krijojë Trupën Akrobatike Rom në Shkodër.

Dhe ai djalë ia arriti. Sot, në Shkodër mes shumë sfidash, vështirësive, por me një punë të vazhdueshme dhe të palodhur të stafit të Arkës, me mbështetjen e plote te organizatave ACLI-IPSIA ne Shqipëri dhe CODE Partners, kemi arritur të krijojmë Trupën Akrobatike Rom.

Një grup fëmijësh të mrekullueshëm që kanë punuar fort dhe bashkë, si një grup i vërtetë miqsh, për të dhënë një mesazh të rëndësishëm për përfshirjen e komunitetit rom në shoqëri, duke vënë para përgjegjësisë së tij qytetare dhe humane çdo njeri që ishte në sallë duke parë shfaqjen. Performanca e sotme ishte një sukses i vërtete përfshirjeje dhe bashkëjetese mes fëmijëve rom dhe fëmijëve të lagjes Mark Lula, ku si një trup dhe mendje e vetme i dhëne jete një performance fantastike si ajo e sotmja.
Falënderim për të gjithë stafin që gjatë laboratorëve të teatrit kanë qenë të palodhur dhe shumë profesional. Falënderim të gjithë aktorëve institucionalë si Bashkine Shkoder, PNUD, American Peace Corps që kanë kontribuar që kjo shfaqje të bëhet e mundur.

Një falënderim i përzemërt shkon për drejtoreshën e Shkollës “Edith Durham”, e cila ka qenë një bashkëpunëtore e palodhur dhe pa-diskutim fëmijët e mrekullueshëm që mësuan kaq shumë gjëra të reja në pak kohë.

Faleminderit që e bëtë këtë ëndërr të mundur!

Shihemi në shfaqjen tjetër.