Kamp Victory

Victory është emri me të cilin u pagëzua eksperienca e tre ditëve kamp në natyrën e mrekullueshme të Thethit, me klasën fituese të shkollës “Ndre Mjeda”. Kjo eksperiencë ishte falë projektit “Edukimi mjedisor në mbledhjen, diferencimin dhe riciklimin e mbetjeve”, ku mbas realizimit të Panairit të riciklimit me të dhjetë shkollat e përfshira, shkolla “Ndre Mjeda” u  shpall fituese. Misioni për mbrojtjen e mjedisit vazhdoi, por në një mënyrë shumë më argëtuese dhe më të drejtpërdrejtë më fëmijët.

Të jetuarit në natyrë të hapur, i bëri ata të kuptonin edhe më shumë se sa i rëndësishëm është një ambjent i pastër, një përkujdesje e mjedisit dhe si duhet ta trajtojmë  atë.

Gjatë ditëve të kampit diskutuam qasjen e fëmijëve me mjedisin, me të jetuarit në natyrë, se si e perceptonin dhe kuptonin ata të jetuarit me çadra, se si duhej që të tregonin jo vetëm prakticitet dhe kreativitet.

Kampin e ngritëm afër shkollës së Thethit, në një hapësirë të rrethuar me gjelbërim, pemë e me spektakël malesh që ofron i gjithë vendi.

I ofruam fëmijëve një eksperiencë të re, dinamike, sfiduese, argëtuese dhe shumë edukative në të njëjtën kohë. Ata ishin shumë të emocionuar që vizituan Thethin, që fjetën në çadra dhe që ndanë momente argëtuese  me njëri-tjetrin.

Montimi i çadrave ishte një eksperiencë shumë argëtuese për ta.

“Të gjithë për një, një për të gjithë” ka qënë motoja e Victory Camp.

Së bashku si një skuadër e vërtetë kemi vendosur oraret e zgjimit, pushimet, vaktet, itineraret e shëtitjeve në natyrë dhe momentet e lojrave.

Të gjithë fëmijët kanë qënë të përfshirë dhe kanë patur mundësi që të shprehin aftësitë e tyre të organizimit duke drejtuar minigrupet dhe aktivitetet gjatë ditës, të shprehin aftësitë e tyre të gatimit, duke ndihmuar në përgatitjen e vakteve të ngrënies.

Eksperienca e të bërit gjërat bashkë ishte shumë e bukur dhe domethënëse për të gjithë sa ishim pjesmarrës në këtë kamp.

Përgjatë ditëve fëmijët kanë treguar interesin e tyre të të shijuarit dhe përkujdesjes për natyrën, duke u kujdesur që hapësira përreth tyre të ishte e pastër.

Jemi të gëzuar që patëm mundësi që t’i dhuronim fëmijëve një eksperiencë të re si ajo e kampingut, bashkëdnarjes, përkujdesjes dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e një ambjenti të pastër. Shëtitja drejt ujvarës në Theth, mbërritja dhe qëndrimi atje ka qënë një tjetër moment i bukur që kemi  kaluar të gjithë së bashku.

Mahnitja e fëmijëve nga bukuria e natyrës, mënyra se si ata e kalonin dhe përballonin rrugën apo të nxehtin, ishte një mesazh shumë i bukur, që ky kamp i dha atyre por edhe ne gjithashtu.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Edukimi Mjedisor në mbledhjen, diferencimin dhe riciklimin e mbetjeve”, që zbatohet nga Acli Ipsia në Shqipëri dhe Qendra Rinore ARKA. Ky projekt zbatohet ne kuader te Projektit ECONORD, zbatuar nga ALCDF dhe financuar nga Bashkimi Evropian.

No items found.